Programi i edukimit gjithpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara

Duke qenë se arsimi është një ndër elementët kryesor për të arritur integrimin e personave me AK, Shoqata me një projekt të mbështetur nga Save the Children nisi në vitin 2006 në qytetin e Tiranës Programin e Edukimit gjithëpërfshirës i cili erdhi si vazhdim i metodës Portage e cila synon integrimin e fëmijëve me AK në sistemin parashkollor. Programi i edukimit gjithëpërfshirës është ngritur për të lehtësuar dhe përshpejtuar procesin e gjithëpërfshirjes në arsim të fëmijëve me AK. Ky program synon konsolidimin, monitorimin dhe replikimin e përvojave dhe praktikave për përfshirjen dhe rritjen e pjesëmarrjes aktive ne mësimnxënie dhe mësimdhënie për fëmijet me AK. Si rezultat i impaktit të marrë nga implementimi i këtij programi dhe me qëllim për të replikuar praktikat më të mira lidhur me këtë proces duke ju ardhur në ndihmë një numri më të madh fëmijësh me AK në nevojë për edukim, Organizata që prej vitit 2008 ka filluar implementimin e këtij projekti edhe në qytetin e Vlorës.

Realizimi i këtij programi është bërë i mundur si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Drejtorinë Arsimore të qytetit të Tiranës, me Drejtorinë Arsimore Rajonale të qytetit të Vlorës, si edhe me institucionet e arsimit parashkollor dhe shkollor të këtyre dy qyteteve. Pjese e rëndësishme e këtij bashkëpunimi kanë qënë 9 kopshte dhe 10 shkolla në njësitë administrative 1, 2 dhe 3 të qytetit të Tiranës dhe 4 shkolla dhe 4 kopshte në qytetin e Vlorës.
Fokus i këtij programi është vlerësimi dhe ngritja e Planit individual arsimor nga specialisti përkatës dhe aplikimi i tij brenda procesit mësimor nga mësuesit e shkollave.
 
Këto plane përfshijnë 5 fusha të zhvillimit të fëmijës, si:
  • shoqërizim;
  • vetëndihmë; 
  • motorika;
  • njohëse
  • gjuhësore
 
Nga implementimi i këtij programi:
  • Janë zhvilluar aftësitë akademike dhe shoqërore të 46 fëmijëve me AK që ndjekin ciklin e ulët.
  • Janë përfshirë në sistemin parashkollor 6 fëmijë me AK dhe në sistemin shkollor 24 fëmijë me AK .
  • Janë zhvilluar kapacitetet profesionale mbi metodat dhe praktikat që rrisin cilësinë në arsimin gjithëpërfshërës të fëmijëve me AK të 170 punonjës arsimi, punonjës të shërbimit psiko-social dhe inspektorë të arsimit.
  • 50 edukatorë dhe mësues në qytetin e Tiranës dhe 30 edukatorë dhe mësues në qytetin e Vlorës që në klasat e tyre kanë fëmijë me AK, aplikojnë praktika gjithëpërfshirëse në punën e tyre, punojnë me PEI për çdo fëmijë me AK si dhe kanë fituar njohuri mbi metodologjinë me në qëndër nxënësin.
  • 70 edukatorë dhe mësues të tjerë (50 në qytetin e Tiranës dhe 20 në qytetin e Vlorës) njohin, pranojnë dhe vlerësojnë diversitetin e çdo fëmije si dhe aplikojnë elementë nga metodologjia me në qëndër nxënësin.
  • 1500 fëmije të shkollave ku zbatohet projekti në të dy qytetet kanë qëndrime mbështetese dhe pranuese për bashkëmoshataret e tyre me AK gjatë orëve të mësimit dhe në mjediset e institucioneve.
  • 100 prindër të fëmijëve me AK mbështesin dhe bashkëpunojnë për të realizuar gjithëpërfshirjen e fëmijëve të tyre në shkolla.
  • Eshtë bërë e mundur që mësuesit e 4 prej shkollave që janë përfshirë në projekt të cilët kanë në klasat e tyre fëmijë me aftësi të kufizura të përfitojnë pagesën e orëve suplementare.
  • Janë zbutur dhe reduktuar paragjykimet e punonjësve të arsimit, drejtuesve të strukturave arsimore lidhur me përfshirjen dhe rezultatet e fëmijëve me AK gjatë procesit të mësimnxënies dhe mësimdhënies në kopshtet e shkollat e përfshira në projekt.
                            
   

login