- Details
Për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit nga dita në ditë po përforcohet mendimi se ndërhyrja në moshë të hershme, terapia e specializuar deri në 40 orë në javë, kombinimi i saj me terapinë e grupit, integrimi me bashkëmosharët, si dhe trajnimi i familjes janë çelësi i suksesit. Duke pasur në vëmendje këto fakte, Shoqata është angazhuar që ti vij në ndihmë fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit dhe prindërve duke ofruar programe psiko-edukative për zhvillimin dhe aftësimin për jetën në një Qendër Shërbimesh sociale për fëmijë me aftësi të kufizuara.
Në fokus të këtij shërbimi janë kombinimi i terapisë individuale me terapinë në grup, e cila ka shumë vlerë për fusha të veçanta me specifikë (shoqërizim, komunikim, shërbimet ndaj vehtes, lojë, modifikime të sjelljes, etj.). Kjo terapi zakonisht kryhet në grupe me nga 5 fëmijë pak a shumë me të njëjtat probleme dhe me mosha të përafërta të drejtuar nga një terapiste. Gjatë kësaj terapie fëmija mëson në formë argëtimi të shtojë aftësitë për t’u shoqërizuar me bashkëmoshatarët, të jetë më bashkëpunues, të marrë dhe të zbatojë komanda, të bëjë imitime, lodra, ti shërbejë vehtes dhe mjedisit ku qëndron. Ambjentet e brendshme dhe të jashtme të Qendrës janë të përshtatura dhe në funksion të nevojave dhe kërkesave për një trajtim sa më bashkëkohor të fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit. Më tepër programi i cili aplikohet në Qendër ditore përfshin:
Rivlerësime dhe ringritje e PEI. Sa herë që fëmija në qendër apo ambulator arrin të përvetësojë 75-80 % të programit ekzistues, terapistja informon ekipin multidisiplinar, i cili fillon përsëri të vlerësojë realizimin e programit nga fëmija duke i hapur rrugën ngritjes së një programi më të avancuar. Ky proces kryhet në intervale çdo 3-5 muaj.