Shërbimi në banesë dhe në komunitet bëhet në mjedisin natyral ku realizohet një pjesë e mirë e funksioneve të personit me aftësi të kufizuar. Në këtë mënyrë, personi me aftësi të kufizuar aftësohet të kryejë funksionet e rëndësishme jetike në kushte normale. Kjo rrit shkallën e përvetësimit dhe zbatimit të shprehive të reja të mësuara.
Shërbimi në banesë dhe komunitet përfshin në proces persona të rëndësishëm në jetën e personit me aftësi të kufizuar që mësojnë si të punojnë me këtë person dhe e vazhdojnë punën për aftësimin e tij edhe kur nuk është specialisti. Kjo rrit shkallën e përvetësimit të shprehive dhe mundësitë e gjithëpërfshirjes në mjedise jo të specializuara. Ky shërbim krijon mundësinë e krijimit të një rrjeti mbështetës të personit me aftësi të kufizuar që siguron përfshirjen e tij në të gjitha aspektet e jetës.
Për herë të parë në Shqipëri, shoqata jonë u angazhua në hartimin e standarteve dhe modulin e implementimit të Shërbimit në banesë dhe komunitet, si një shërbim i kohës dhe shumë i domosdoshëm për personin me aftësi të kufizuar.
Aktualisht, Ndihmoni Jetën e ofron këtë program në qytetin e Tiranës ku përfshihet:
- Vlerësim të aftësive bazale të fëmijës
- Ngritje të programit të terapisë individuale (PEI), diskutimi i tyre me familjarin
- Terapi individuale (në të gjitha fushat) ambulatore 1-2 orë në ditë .
- Terapi individuale specifike për fusha të veçanta (logopedi, program parashkollor, etj.)
- Terapi mbështetëse për fëmijët ambulatorë që frekuentojnë shkollën.
- Asistencë për 2-3 orë apo për ditët e fundjavës.
- Terapi grupi 1 orë në Qendër ditore me 3-4 fëmijë (shoqërizim, lojë, komunikim, etj.)
- Instruksione për prinderit si te punoj me femijet ne kushte shtepie.