Shoqata “Ndihmoni Jetën” është Organizatë Kombëtare jo-fitimprurëse, e ngritur në Tiranë në 1998, si një inisiative e një grupi prindërish të fëmijëve dhe adoleshentëve me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike.
Shoqata u krijua si një domosdoshmëri për shërbime sociale- edukative dhe mbrojtje të të drejtave të fëmijve me aftësi të kufizuar mendore e fizike. Në vitin 1998, adoleshentët dhe të rinjtë me AK nuk kishin mundësi për të përfituar shërbime edukimi, rehabilitimi dhe integrimi, sepse ato ishin shumë të limituara dhe pothuajse mungonin në pjesën më të madhe të vendit. Pjesa më e madhe e personave të kësaj kategorie PAK, ishin të mbyllur në shtëpitë e tyre dhe shoqëria kishte paragjykime në trajtimin dhe pranimin e tyre në jetën shoqërore. Kjo ishte një arsye shumë e fortë për prindërit e fëmiëjve me AK për të krijuar shoqatën “Ndihmoni Jetën”, me misionin për të mbrojtur të drejtat e personave me aftësi të kufizuar dhe për të dhënë ndihmesë në procesin e integrimit në familje e shoqëri të fëmijëve të tyre. Prandaj që në nisje, shoqata u përqendrua për të punuar kryesisht me shërbimet socio-edukative për fëmijët me AK , por në nje kend të ri.
Filozofia jonë për shërbimet drejtohej tek modeli social, duke përmirësuar llojshmërinë, cilësinë e shërbimeve, duke punuar hap pas hapi për të ndryshuar qëndrimet e komunitetit dhe shoqërisë. Kjo nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë në një shoqëri si kjo e jona, ku stigma dhe paragjykimet pasohen nga një ekonomi shumë e dobët e familjes, si edhe nevoja për programe shërbimesh edukimi e rehabilitimi konsiderohet si një nevojë më e vogël se ajo për të ushqyer e veshur familjen. Duke qenë vetë prindër, ne kemi mundur te krijojmë një mendim dhe realitet tjetër për të ardhmen e fëmijëve tanë në cdo familje që ka një fëmijë me AK, në ambjentin që na rrethon, në komunitet, shkolla, e kudo.
Sot shoqata ka hapur degët e saj në 12 rajone kryesore të vendit. Duke punuar me moton “shërbime përgjatë gjithë jetës për një person me AK”, zhvilluam e forcuam programet tona duke filluar me programe të ndërhyrjes së hershme 0-6 vjeç, programet e edukimit gjithpërfshirës në kopshte e shkolla me bashkmoshatarët, shërbime komuntare për fëmijë dhe të rinj të moshës 5-25 vjeç, shërbim për jetesë të pavarur me/pa mbështetje për personat me aftësi te kufizuar mbi 25 vjeç, si edhe gjithpërfshirjen në shoqëri të adoleshentëve e të rinjve me aftësi të kufizuar.
Me programet tona dhe fushatat e advokacisë po synojmë të influencojmë gjithashtu istitucionet qendrore e lokale, për ndryshim politikash sociale dhe ligjore duke punuar së bashku me të gjitha organizatat e fushës, sepse ne mendojme se zhdukja e barrierrave që pengojnë procesin e gjithpërfshirjes së Personave me Aftesi të Kufizuara në shoqëri nuk mund te realizohet vetëm, ajo duhet te behet pjesë e aksionit politik të shtetit dhe shoqërisë.
Ne besojmë fort se si prinder jemi një forcë e madhe dhe një potencial real për të ndryshuar mentalitetet, për gjithpërfshirjen në shoqëri, për një jetë më të mirë të fëmijëve tanë dhe gjithë shoqërisë, pra për të sjell ndryshimin.
Por, Ne e dimë se kemi shumeë rrugë për të bërë së bashku, për të arritur një ndryshim të dukshëm, të qëndrueshëm në jetën e personave me aftësi të kufizuar në Shqipërinë tonë të dashur.
Shoqata Ndihmoni Jeten po zbaton projektin "Të rinjtë me aftësi të kufizuara intelektuale mbrojnë të drejtat e tyre” mbeshtetur nga UNDP ne kuader të Programit të Përbashkët të OKB-së ‘Askush të mos mbetet pas/Leave No One Behind’ (LNB2)